Tension në Gjirin Persik: Trump flet për sulm me dronë nga Irani

Presidenti amerikan Donald Trump ka akuzuar Iranin për një “shkelje të pamend” të marrëveshjes së armëpushimit, pas një incidenti të raportuar në zonën strategjike të Ngushticës së Hormuzit.

Sipas deklaratës së tij në platformën Truth Social, Irani dyshohet se ka lëshuar të paktën katër dronë ndaj anijeve tregtare në zonë, ku një prej tyre ka goditur një anije mallrash. Trump tha se nga sulmi janë shkaktuar dëme, por anija ka vazhduar lundrimin.

Ai shtoi se forcat amerikane kanë rrëzuar tre dronët e tjerë që, sipas tij, ishin drejtuar ndaj anijeve në atë korridor detar.

“Është e qartë se kjo është një shkelje e pamend e marrëveshjes sonë të armëpushimit”, u shpreh Trump.

Deri më tani, nuk ka konfirmim zyrtar nga autoritetet iraniane për incidentin, ndërsa situata në Ngushticën e Hormuzit mbetet e tensionuar në kuadër të zhvillimeve më të gjera gjeopolitike në rajon.