Serbët e dogjën në luftë, Kurti njofton marrëveshjen për rindërtimin e Xhamisë së Ibrit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar nënshkrimin e marrëveshjes për rindërtimin e Xhamisë së Ibrit, e cila ishte djegur gjatë luftës.

“Sot, së bashku me Myftiun Naim Tërnava, kryeimamin Vedat Sahiti dhe ministren Saranda Bogujevci, nënshkruam marrëveshjen e bashkëpunimit për hartimin dhe zbatimin e projektit të rekonstruktimit të saj. Me këtë memorandum, Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet ringritjen e këtij monumenti me rëndësi historike dhe kulturore”, ka njoftuar Kurti.

Ai bëri të ditur gjithashtu se është nënshkruar edhe një memorandum bashkëpunimi me Bashkësia Islame e Kosovës, me qëllim forcimin e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore islame.

“Këto angazhime janë pjesë e përkushtimit tonë të vazhdueshëm për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në vend, pas dëmeve të shkaktuara gjatë luftës së viteve 1998–1999”, deklaroi ai.

Sipas njoftimit, Xhamia e Ibrit, e ndërtuar në vitin 1777 dhe e djegur më 2 maj 1999, do të rindërtohet, ndërsa investimet në këtë fushë pritet të vazhdojnë edhe në vitet në vijim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *