Rexhepi kritikon Komunën e Tetovës dhe Gjykatën Kushtetuese për qasjen ndaj identitetit të qytetit

Kryetari i Degës së BDI-së në Tetovë, Bajram Rexhepi, ka reaguar pas vendimit të Komunës së Tetovës për të mos thirrur një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit Komunal lidhur me çështjen e emrave të rrugëve, pas aktvendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.

Rexhepi e cilësoi këtë veprim si një shmangie të përgjegjësisë institucionale dhe theksoi se kërkesa e paraqitur nga këshilltarët e AKI-së dhe Lidhjes Shqiptare është plotësisht në përputhje me ligjin.

Sipas tij, ligji përcakton qartë se një seancë e jashtëzakonshme duhet të thirret kur këtë e kërkon së paku një e treta e anëtarëve të Këshillit, ndërsa vendimmarrja për çështjen duhet të bëhet nga vetë këshilltarët dhe jo nga administrata komunale.

“Ne nuk kërkojmë përplasje juridike, por një debat institucional dhe gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë, ligjore dhe dinjitoze për këtë çështje”, deklaroi Rexhepi.

Ai kundërshtoi edhe arsyetimin e Komunës se rasti po trajtohet nga një komision i posaçëm, duke theksuar se asnjë komision nuk mund të marrë rolin e Këshillit Komunal në çështje të tilla me rëndësi të veçantë.

Rexhepi vlerësoi se me këtë qasje, Komuna e Tetovës po mbështet në mënyrë të tërthortë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të cilin ai e konsideron si një goditje ndaj identitetit dhe trashëgimisë historike të shqiptarëve në Tetovë.

Në fund, ai bëri thirrje për reagim dhe angazhim më të madh qytetar, duke theksuar se historia, identiteti dhe dinjiteti i Tetovës duhet të mbrohen dhe nuk duhet të vihen në diskutim.

Screenshot
Screenshot
Screenshot
Screenshot