Parlamenti Evropian përsërit thirrjen për ndryshimet kushtetuese në Maqedoninë e Veriut

Komiteti për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian (AFET) ka miratuar një draft-raport në të cilin përsëritet kërkesa që Maqedonia e Veriut të përfshijë komunitetin bullgar në Kushtetutë, si pjesë e obligimeve të lidhura me procesin e integrimit evropian.

Sipas raportit, të gjithë faktorët politikë që mbështesin rrugën evropiane të vendit duhet të bashkëpunojnë për realizimin e ndryshimeve kushtetuese, të cilat konsiderohen kusht për hapjen e grupit të parë të kapitujve negociues me Bashkimin Evropian.

Dokumenti është miratuar me 43 vota pro, 17 kundër dhe 13 abstenime.

Kjo kërkesë u përsërit edhe nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, gjatë vizitës së tij në Shkup, ku theksoi se zbatimi i marrëveshjeve të arritura në vitin 2022 mbetet hapi kyç për avancimin e procesit të anëtarësimit në BE.

Nga ana tjetër, kryeministri Hristijan Mickoski vazhdon të kundërshtojë ndryshimet kushtetuese në formën aktuale, duke argumentuar se nevojiten garanci të qarta nga Bashkimi Evropian dhe Bullgaria se gjatë negociatave nuk do të paraqiten kërkesa të reja që lidhen me identitetin dhe gjuhën maqedonase.

Mickoski ka kërkuar gjithashtu respektimin e të drejtave të komunitetit maqedonas në Bullgari si pjesë e një zgjidhjeje të balancuar.

Për miratimin e ndryshimeve kushtetuese nevojitet shumicë prej dy të tretash në Kuvend, një mbështetje që aktualisht nuk është siguruar.

Ndërkohë, raporti i AFET-it shpreh shqetësim edhe për progresin e kufizuar në fushën e sundimit të ligjit, pavarësisë së gjyqësorit dhe luftës kundër korrupsionit. Eurodeputetët vlerësojnë se korrupsioni vazhdon të mbetet një problem serioz, duke theksuar dallimin mes hetimeve të nisura dhe vendimeve përfundimtare në rastet e profilit të lartë.

Procesi i integrimit evropian i Maqedonisë së Veriut mbetet i lidhur ngushtë me përmbushjen e këtyre reformave dhe me gjetjen e një konsensusi politik për ndryshimet kushtetuese.