Padi masive nga punonjësit e kujdesit shëndetësor për shtesat e papaguara të pagave

Institucionet publike shëndetësore në vend po përballen me rreth 1.800 padi nga punonjësit, të cilët kërkojnë mbi dy milionë euro dëmshpërblim.

Sipas të dhënave zyrtare, numri më i madh i kërkesave vjen nga Spitali Klinik në Manastir, ndërsa numri më i lartë i padive është ngritur nga punonjësit e Spitalit të Përgjithshëm në Kumanovë.

Drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski, deklaroi se trendi i padive në sektorin e shëndetësisë është shqetësues.

“Midis 10 dhe 20 për qind e punonjësve po zhvillojnë një kontest gjyqësor. Numri më i madh i kontesteve gjyqësore, 70 për qind e tyre janë në 10 institucione dhe ato janë në këtë kategori të spitaleve të përgjithshme”, tha Klekovski.

Ai shtoi se Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës ka numrin më të madh të kontesteve gjyqësore, me gjithsej 317 padi, ndërsa Spitali Klinik i Manastirit pritet të ketë ndikimin më të madh financiar.

Në institucionet publike shëndetësore në vend aktualisht punojnë rreth 19 mijë nëpunës shtetërorë, ndërsa sipas analizave të Fondit, numri i tyre është rritur pas pandemisë COVID-19.

Për pagat dhe shpenzimet e stafit ndahen rreth 1.5 miliardë denarë, ku 25 për qind e shumës shkon për kontribute.