Osmani: VMRO-ja ka gjetur “portën pa portier”, problemi është inferioriteti i VLEN-it

Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, në emisionin “Dialog te LAJM’i” me gazetarin Sefer Tahiri, ka komentuar raportet politike mes partive shqiptare dhe VMRO-DPMNE-së, duke përdorur një metaforë nga futbolli për të përshkruar situatën aktuale politike.

Gjatë bisedës, Osmani tha se nuk pret që VMRO-DPMNE të ndryshojë qasjen e saj ndaj shqiptarëve, por sipas tij, problemi kryesor qëndron te mungesa e një kundërpeshe politike nga partitë shqiptare në pushtet.

“Ne kemi luajtur futboll, por kemi pasur portier në gol dhe kemi ditur të mbrohemi. Sot nuk ka portier”, deklaroi Osmani, duke shtuar se VMRO-DPMNE-ja ka gjetur një situatë të favorshme politike.

Ai kritikoi koalicionin VLEN, duke vlerësuar se ekziston një ndjenjë inferioriteti ndaj partnerit qeverisës. Sipas tij, përfaqësuesit e VLEN-it po përpiqen vazhdimisht të dëshmojnë se janë të pranueshëm për VMRO-DPMNE-në, gjë që, sipas Osmanit, dëmton pozicionin politik të shqiptarëve.

Në diskutim u hap edhe çështja e bashkëpunimit ndërmjet partnerëve qeverisës dhe funksionimit të shtetit mbi baza të barabarta. Osmani theksoi se për një partneritet të mirëfilltë nevojitet angazhim dhe vullnet nga të dyja palët.

Ai gjithashtu adresoi qëndrimet e VMRO-DPMNE-së në politikën e jashtme, duke përmendur atë që e quajti afërsi të tepruar me Serbinë. Megjithatë, Osmani vlerësoi pozitivisht një nga veprimet e fundit të qeverisë, duke përshëndetur marrëveshjen strategjike të arritur me Kroacinë.

Sipas tij, pavarësisht kritikave që ka ndaj qeverisë aktuale, duhet të vlerësohen edhe vendimet që shkojnë në interes të shtetit dhe forcimit të partneriteteve ndërkombëtare.