Autoriteti iranian për Ngushticën e Hormuzit ka njoftuar vendosjen e procedurave të reja për anijet që kalojnë në këtë rrugë ujore strategjike, pas nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.
Sipas rregullave të reja, të gjitha anijet që synojnë tranzit nëpër ngushticë duhet të aplikojnë paraprakisht përmes kanaleve zyrtare të Autoritetit, duke përdorur vetëm faqen zyrtare ose adresën e email-it të institucionit. Aplikimet duhet të përfshijnë të dhëna të sakta për anijen dhe kontaktet përkatëse.
Po ashtu, është përcaktuar që kërkesa për kalim duhet të dorëzohet të paktën 48 orë para mbërritjes në zonë, në mënyrë që të shmangen vonesat dhe problemet gjatë hyrjes apo daljes nga ngushtica.
Për një periudhë 60-ditore, autoritetet kanë njoftuar se nuk do të aplikohen tarifa për shërbimet e sigurisë, mbrojtjes dhe mjedisit, ndërsa kostot e sigurimeve përkatëse do të mbulohen nga qeveria iraniane.
Rregullat e reja theksojnë gjithashtu nevojën për koordinim të itinerareve dhe kohës së kalimit, për shkak të rrezikut të zonave të minuara dhe rëndësisë së garantimit të sigurisë detare. Në rast mosrespektimi, pronarët e anijeve do të mbajnë përgjegjësi ligjore.
Marrëveshja e nënshkruar mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe Presidentit iranian Masoud Pezeshkian, me ndërmjetësim të kryeministrit pakistanez Shehbaz Sharif, synon uljen e tensioneve dhe nisjen e negociatave për çështjen bërthamore të Iranit dhe sanksionet ndërkombëtare brenda 60 ditëve.
Sipas dokumentit, palët kanë rënë dakord për vazhdimin e bisedimeve dhe mundësinë e zgjatjes së afatit, me synim arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mes tyre.
