Një 43-vjeçar nga Shkupi është arrestuar mëngjesin e së premtes në zonën kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, nën dyshimin për kontrabandë mallrash.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, rreth orës 08:00, policia ka vërejtur disa persona duke transferuar mallra mes dy automjeteve në vijën kufitare ndërmjet fshatrave Tanushë dhe Mjak.
Gjatë ndërhyrjes, është arrestuar A.A. (43), drejtues i një automjeti “Peugeot” me targa të Shkupit, ndërsa drejtuesi i automjetit “Volkswagen” me targa të Kosovës është larguar në drejtim të territorit të Kosovës.
Për kapjen e tij është koordinuar veprimi me Policinë e Kosovës, e cila ka tentuar ta ndalojë automjetin, por gjatë përpjekjes për t’u arratisur ai ka dalë nga rruga.
MPB njofton se të dy automjetet janë sekuestruar për procedurë të mëtejshme. Për rastin është informuar prokurori publik dhe, pas dokumentimit të plotë të ngjarjes, do të parashtrohet kallëzimi përkatës.

