Njëri nga liderët e VLEN, Izet Mexhiti, në një paraqitje për Sitel TV, ka prezantuar modelin e ri organizativ që pritet të zbatohet pas shndërrimit të këtij subjekti në një parti të vetme.
Ai theksoi se VLEN synon të sjellë një mënyrë të re të funksionimit të brendshëm, duke u bazuar në praktika demokratike që përdoren edhe në vende evropiane.
“Po vendosim procedura të reja demokratike të qeverisjes, siç është kopresidenca, që ekziston në BE, në Gjermani dhe në shtete të tjera evropiane, si dhe në Kosovë. Tani kjo do të zbatohet edhe tek ne”, deklaroi Mexhiti.
Në kuadër të këtij modeli, ai bëri të ditur edhe strukturën drejtuese të partisë:
“Unë dhe Bilall Kasami do të jemi kopresidentë, ndërsa sekretar i përgjithshëm do të jetë Bekim Sali. Nënkryetarë do të jenë Bekim Qoku dhe Mimoza Musa”, tha Mexhiti.
Ai njoftoi gjithashtu se është formuar një grup punues që po merret me hartimin e platformës politike dhe ideologjike të partisë, me synim krijimin e një orientimi më të qartë dhe të qëndrueshëm.
“Grupi punues po punon intensivisht në platformën ideologjike. Risi është se nuk do të përshtatemi sipas partnerëve të qeverisjes, por do të kemi një orientim të qartë”, tha ai.
Sipas tij, orientimi i VLEN do të jetë në spektrin qendër të djathtë, duke synuar një profil më të konsoliduar politik në të ardhmen.
