Marin Mema mesazh të fortë për protestën e studentëve në Maqedoninë e Veriut

Gazetari shqiptar Marin Mema ka reaguar ashpër lidhur me çështjen e të drejtave gjuhësore të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, duke akuzuar politikën shqiptare për neglizhencë dhe heshtje ndër vite.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai theksoi se gjuha shqipe është e shenjtë dhe se ngritja e zërit për mbrojtjen e saj është detyrim i çdo shqiptari.

Mema u shpreh se, sipas tij, po të ishte punuar me vullnet dhe përkushtim për shqiptarët, situata nuk do të kishte arritur në këtë pikë në vitin 2026.

Ai kritikoi ashpër partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, duke i akuzuar se për interesa personale dhe poste kanë pranuar heshtjen përballë problemeve të shqiptarëve.

Sipas gazetarit, protestat e studentëve tregojnë se të rinjtë po reagojnë ndaj një klase politike që, siç tha ai, është pasuruar në dëm të kombit.

Në fund të reagimit, Marin Mema bëri thirrje që të rinjtë shqiptarë të marrin më shumë përgjegjësi dhe të vendosin interesin kombëtar përpara partive politike, duke shprehur mbështetje të plotë për studentët shqiptarë.