Aeroporti i Shkupit ka vënë në funksion skanerë të rinj të sigurisë me teknologji të avancuar, një investim prej rreth 1 milion eurosh që synon të rrisë sigurinë dhe ta bëjë më të shpejtë procesin e kontrollit të pasagjerëve.
Sipas drejtorit të përgjithshëm të TAV Maqedoni, Nexhat Kurt, Aeroporti i Shkupit është i pari në Ballkan që përdor këtë teknologji moderne. Me sistemin e ri, pasagjerët nuk do të kenë më nevojë të nxjerrin nga bagazhet laptopët, tabletët apo telefonat celularë gjatë kontrollit të sigurisë, duke e bërë procedurën më të shpejtë dhe më komode.
Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli-Shaqiri, tha se bashkëpunimi me TAV ka sjellë investime me vlerë rreth 50 milionë euro në projekte të ndryshme infrastrukturore. Ajo theksoi se modernizimi i aeroporteve mbetet një nga prioritetet për përmirësimin e shërbimeve dhe përvojës së udhëtarëve.
Sipas autoriteteve, teknologjia e re do të reduktojë kohën e pritjes në pikat e kontrollit, duke ofruar një udhëtim më të sigurt, më të shpejtë dhe pa stres për të gjithë pasagjerët.
