Drejtoria e Doganave ka nisur përdorimin e 30 kamerave trupore për punonjësit doganorë në pikat kufitare “Tabanocë”, “Qafë Thanë” dhe “Bllacë”.
Pajisjet janë dhuruar nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së dhe do të përdoren për regjistrimin e procedurave gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.
Pamjet e regjistruara mund të shërbejnë edhe si dëshmi në procedura kundërvajtëse dhe penale.
Drejtori i Doganave, Boban Nikollovski, tha se përdorimi i kamerave synon të rrisë sigurinë e punonjësve, transparencën dhe luftën kundër korrupsionit.
Zëvendësuesja e ambasadorit amerikan, Nicole Warns, theksoi se pajisjet do të kontribuojnë në parandalimin e aktiviteteve të paligjshme, përfshirë trafikimin e drogës, trafikimin e qenieve njerëzore dhe krimin e organizuar.
Sipas saj, donacioni është pjesë e bashkëpunimit dhe partneritetit ndërmjet SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut.
