Foto historike e qershorit 1999: Hashim Thaçi dhe Arbën Xhaferi në helikopterin gjerman duke shikuar Kosovën e lirë

Një fotografi e papublikuar më parë ka sjellë në vëmendje një nga momentet më domethënëse të historisë së re të Kosovës. Gazetari i njohur Blendi Fevziu ka ndarë në rrjetet sociale një imazh arkivor nga qershori i vitit 1999, ku shfaqet ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, krah liderit historik dhe themeluesit të Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Arbën Xhaferi.
Në këtë fotografi, dy nga personalitetet e shquara të botës shqiptare shihen brenda një helikopteri gjerman, në çastet kur po vështronin nga dritarja Kosovën e sapoliruar.

“Hashim Thaçi në momentet e medha te vendit te tij. Nuk e kam postuar kurre foton e dyte ketu. Thaci duke pare nga dritarja e helikopterit gjerman Kosoven e lire. Qershor 1999”, ka shkruar Fevziu në postimin e tij.

Prania e Arbën Xhaferit në këtë kornizë historike dëshmon mbështetjen e fuqishme dhe solidaritetin e faktorit politik shqiptar nga Maqedonia e Veriut në kthesat më vendimtare të popullit të Kosovës gjatë verës së vitit 1999. (INA)