Ish-deputeti i Lëvizjes BESA, Fadil Zendeli, pritet të emërohet ambasador i Maqedonisë së Veriut në Danimarka.
Në seancën e sotme të Komisionit parlamentar për Politikë të Jashtme është miratuar vendimi për emërimin e tij, duke e çuar procesin në fazat përfundimtare para zyrtarizimit.
Zendeli deklaroi se mandati i tij do të fokusohet në forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Ai theksoi se platforma e tij e punës do të përfshijë disa segmente, përfshirë politikën e jashtme dhe sigurinë, marrëdhëniet bilaterale, bashkëpunimin ekonomik dhe social, si dhe prioritetet e mandatit diplomatik.
Paraqitja e tij para deputetëve në Komisionin për Politikë të Jashtme konsiderohet si një nga hapat e fundit procedurale para emërimit zyrtar në postin e ambasadorit.
