Ish-konkurrentja e Big Brother VIP Kosova, Benita Zena, ka lënë të kuptohet se një pjesëmarrje në Big Brother VIP Albania mbetet një mundësi reale.
E ftuar në Top Albania Radio, ajo u shpreh se e pëlqen formatin që zhvillohet në Shqipëri dhe nuk e përjashton mundësinë për t’u bërë pjesë e tij në të ardhmen.
“E pëlqej formatin që bëhet në Shqipëri, ndaj nuk i dihet kurrë. Nga unë gjithmonë mund të ketë surpriza”, tha Benita.
Duke folur për eksperiencën e saj në BBVK, ajo pranoi se, po ta jetonte edhe një herë atë rrugëtim, do të ishte më e kujdesshme ndaj personave që do të zgjidhte t’u besonte.
Benita shtoi se, nëse do të hynte në BBVA, publiku do të shihte një anë krejt tjetër të saj.
“Nëse do të hyja, do të shihnit një Benitë tjetër. Do të futesha si një ‘Bugatti’ i vërtetë”, u shpreh ajo me humor.
Sa i përket romancave në reality show, Benita tha se nuk ka një përgjigje fikse nëse do të krijonte një lidhje gjatë lojës, duke theksuar se gjithçka do të varej nga situatat dhe ndjesitë e momentit.
Në fund, ajo theksoi se Big Brother duhet parë si një lojë, ku rëndësi kanë aftësitë strategjike dhe personaliteti, e jo si një garë për të dëshmuar moralin e banorëve.
