Këngëtarja e njohur Big Mama ka qenë e ftuar në “Grida Duma Podcast”, ku ka ndarë një rrëfim të sinqertë dhe emocional për jetën e saj personale, dashurinë dhe marrëdhëniet që ka përjetuar ndër vite.
Në bisedën e zhvilluar me Grida Dumën, ajo ka folur hapur për lidhjet e saj të kaluara, të cilat sot i konsideron të gabuara, si dhe për vështirësitë që ka pasur në raport me njerëzit dhe në vendosjen e kufijve personalë. Big Mama ka theksuar se shpesh e ka pasur të vështirë të thotë “jo” dhe se ka bërë shumë sakrifica për të tjerët.
Duke folur për dashurinë, këngëtarja është shprehur se pas humbjes së nënës së saj ka reflektuar më thellë mbi jetën dhe marrëdhëniet e saj personale.
“Kam pasur gjithmonë lidhje të gabuara. Tani në moshën 40-vjeçare unë po kuptoj, duke e lidhur dhe me pjesën e humbjes së nënës, u ndala dhe pashë se kush më do dhe kush nuk më do. Edhe kuptova që nga të gjitha lidhjet e mia apo njohjet që kam pasur, mua nuk më paska dashur njeri. Big Mamën nuk e ka dashur asnjë njeri. Gjithmonë kanë dashuri diçka tjetër nga unë. Kanë dashur o të më shfrytëzojnë, se di, gjithmonë ka patur diçka me prapavijë apo me interes. Asnjë njeri nuk më ka dashur”, është shprehur ajo.
Rrëfimi i saj ka prekur publikun, duke sjellë një anë më të ndjeshme të këngëtares që rrallëherë shihet në intervista.
