Moderatorja Arbana Osmani ka reaguar përmes një postimi në Instagram lidhur me situatën politike dhe protestat në Tiranë, duke theksuar se zhvillimet në vend nuk duhet të trajtohen si një “reality show” apo si mundësi për të marrë pëlqime në rrjetet sociale.
Ajo tha se kishte zgjedhur të heshtte për disa ditë, në mënyrë që të kuptonte më mirë situatën, ndërsa shprehu shqetësimin për të rinjtë e lënduar dhe dëmet në kryeqytet.
Si nënë e tre fëmijëve, Osmani u shpreh kundër dhunës, si ndaj protestuesve, ashtu edhe ndaj institucioneve dhe bizneseve. Ajo kritikoi gjithashtu ata që, sipas saj, justifikojnë dhunën përmes postimeve në rrjetet sociale.
Në fund të reagimit, moderatorja iu drejtua drejtpërdrejt kryeministrit Edi Rama me një mesazh të qartë: “Mjaft; respekto popullin tënd, dëgjoje. Askush nuk e meriton këtë”.
