Anulohet projekti për autobusët elektrikë dhe karikuesit e “Ikarus” dhe EVN

Komisioni Shtetëror për Ankesa në Prokurimet Publike ka marrë vendim për anulimin e tenderit për autobusë elektrikë dhe karikues, në të cilin si oferta më e favorshme ishte përzgjedhur oferta e përbashkët e kompanisë hungareze “Elektrobus-Ikarus” dhe kompanisë austriake EVN, transmeton Portalb.mk.

Vendimi i Komisionit është marrë sipas detyrës zyrtare, ndërsa informacioni u konfirmua sot nga Ministria e Transportit.

“Ministria e Transportit, në përputhje me kompetencat e saj, do ta rishpallë këtë prokurim publik në përputhje me dispozitat ligjore në afat sa më të shpejtë të mundshëm”, thanë nga Ministria e Transportit.

Thirrja publike për furnizimin e 150 autobusëve elektrikë dhe 75 karikuesve ishte shpallur më 27 shkurt të këtij viti.

Sipas kritereve të përcaktuara në thirrjen publike, ofertuesi duhej të prodhonte dhe të dorëzonte 30 autobusë brenda gjashtë muajve, 60 autobusë brenda 12 muajve dhe 60 autobusë të tjerë brenda 18 muajve. Afati për dorëzimin e dokumentacionit të nevojshëm ishte deri më 30 mars.

Më vonë, nga Ministria e Transportit thanë se “Elektrobus-Ikarus” dhe EVN, të cilat ishin përzgjedhur, i kishin përmbushur të gjitha kushtet e parapara në prokurimin publik dhe kishin ofruar çmimin më të ulët prej 19.350.000 denarësh ose rreth 314.000 euro për autobus, që sipas tyre është çmim jashtëzakonisht konkurrues në tregun e autobusëve elektrikë.

Kompania “Ikarus” duhej t’i dorëzonte autobusët elektrikë, ndërsa kompania EVN stacionet e karikimit.