Ali Ahmeti: Nuk do të jem kryetar, do të bëhem veteran

Kryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka marrë pjesë në Kuvendin Zgjedhor të Degës së BDI-së në Kumanovë, ku ka folur për të ardhmen e partisë dhe rolin e tij në strukturat politike.

Ahmeti e cilësoi kuvendin si një dëshmi të fuqisë organizative dhe pjekurisë politike të BDI-së, duke theksuar se përvoja e veteranëve mbetet një vlerë e rëndësishme për gjeneratat e reja që angazhohen në politikë.

“Bashkë do të vazhdojmë misionin tonë, më të vendosur se kurrë drejt fitoreve të reja”, deklaroi ai para të pranishmëve.

Megjithatë, vëmendjen më të madhe e mori deklarata e tij për të ardhmen personale në krye të partisë.

“Nuk do të jem kryetar, do të bëhem veteran”, u shpreh Ahmeti, duke lënë të kuptohet se mund të tërhiqet nga drejtimi i BDI-së në të ardhmen.

Deklarata e liderit të integristëve ka nxitur reagime dhe interpretime të ndryshme në opinion, ndërsa mbetet të shihet nëse kjo do të shënojë fillimin e një tranzicioni të ri në udhëheqjen e partisë.