Albulena Ukaj ndan pjesë nga bashkëpunimi i papublikuar me Shpat Kasapin

Këngëtarja Albulena Ukaj ka emocionuar ndjekësit në TikTok me një postim të ndjerë, ku ka ndarë një pjesë nga një këngë e papublikuar me artistin Shpat Kasapi.

Ajo bëri të ditur se projekti nuk u përfundua pas ndarjes së papritur të artistit nga jeta më 26 nëntor të vitit të kaluar, dhe ka vendosur ta publikojë si homazh për kujtimin e tij.

Në postimin e saj, ajo ka shkruar:

“Kjo këngë mbeti përgjysmë, ashtu siç mbeti bosh një pjesë e zemrës sime kur ti ike. E lamë në mes me shpresën se do ta përfundonim bashkë një ditë. Sot po e publikoj për ty, për kujtimin tënd dhe për të gjithë ata që të deshën. Nuk je më këtu për ta dëgjuar, por zëri yt do të jetojë përgjithmonë. Më mungon, mik. U prehsh në paqe.”

Postimi i saj ka ngjallur reagime të shumta dhe komente mbështetëse nga ndjekësit, të cilët kanë vlerësuar gjestin e saj për ta ndarë këtë projekt me publikun dhe për të kujtuar artistin e ndjerë.