Reperi kosovar Capital T u ka bërë thirrje mediave në Kosovë që t’u kushtojnë më shumë vëmendje protestave dhe zhvillimeve në Shqipëri, duke kërkuar raportim të drejtë dhe të pavarur.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, artisti ka theksuar rëndësinë që qytetarëve protestues t’u jepet hapësirë për të shprehur zërin e tyre, ndërsa ka bërë thirrje për raportim pa censurë dhe dokumentim të shkeljeve të mundshme të të drejtave.
Ndërkohë, sipas Dosja.al, është siguruar një audio-përgjim i një bisede telefonike mes oficerit të policisë Niko Kurti dhe reperit. Në bisedë, oficeri e pyet Capital T, emri i të cilit është Trim Ademi, se ku ndodhet dhe kur planifikon të kthehet në Tiranë.
Reperi përgjigjet se ndodhet në Amerikë dhe se nuk ka një datë të caktuar për kthimin. Në fund të telefonatës, oficeri i kërkon që pas kthimit të paraqitet në zyrën e tij për një bisedë ballë për ballë.
