Tragjedi në Britani, burri humb jetën pasi hyri në hapësirën e tigrave

Një burrë ka humbur jetën pasi pësoi lëndime të rënda, kur hyri në një hapësirë të mbyllur për tigra në Parkun e Kafshëve të Egra në Yorkshire, në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas Policisë së South Yorkshire, raportimi për ngjarjen u bë të shtunën, më 10 tetor, rreth orës 13:35. Shërbimet e urgjencës mbërritën në vendngjarje, por pavarësisht përpjekjeve të personelit mjekësor, burri u shpall i vdekur aty.

Autoritetet konfirmuan se tigri nuk pësoi lëndime gjatë incidentit. Familja e viktimës është njoftuar dhe po merr mbështetje nga oficerë të specializuar.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të mos shpërndajnë pamjet tronditëse të ngjarjes që po qarkullojnë në internet.