Tre minatorë janë nxjerrë nga miniera e Trepçës në Stari Tërg, ndërsa rreth 60 të tjerë mbeten të bllokuar në horizontin e 11-të. Ekipet e zjarrfikësve po vazhdojnë operacionin për nxjerrjen e tyre.
Sipas kryetarit të Sindikatës së Minatorëve të Trepçës, Ibrahim Januzi, minatorët mbetën të bllokuar pas një defekti në sistemin e furnizimit me energji elektrike. Problemi u shfaq rreth orës 19:30, pas dëmtimit të linjave të tensionit të lartë dhe një defekti në trafostacionin pranë tunelit të parë.
Një pjesë e minatorëve kanë nisur të dalin përmes daljeve alternative dhe komunikimi me ta po mbahet përmes linjës telefonike induktive. Gjendja e tyre raportohet si stabile.
Megjithatë, njëri prej minatorëve raportohet se ka probleme me këmbën, gjë që mund t’ia vështirësojë daljen në këmbë.
Sipas informacioneve nga terreni, linja elektrike që furnizon minierën nuk ka pësuar dëmtime të mëdha dhe pritet të riparohet së shpejti.
Ndërkohë, kryetari i Sindikatës ka kritikuar mungesën e investimeve dhe pajisjet e vjetruara, duke thënë se situata të ngjashme janë përsëritur edhe më herët.
Ai ka paralajmëruar se mungesa e një sistemi alternativ të furnizimit me energji i detyron minatorët të qëndrojnë për orë të tëra nën tokë, duke e cilësuar situatën si rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e tyre.
