Rreth 90 mijë persona nga Maqedonia kërkojnë prindërit biologjikë

Rreth 90,000 persona nga Maqedonia e Veriut po kërkojnë prindërit e tyre biologjikë dhe të afërmit e ngushtë, bëjnë të ditur nga Shoqata “Ndërtojmë të Ardhmen”.

Shoqata aktualisht po zhvillon fushatën “Edhe ti ke të drejtë të njohësh prindërit e tu”, përmes së cilës synon që çështja e personave të birësuar dhe e të drejtës për të njohur origjinën biologjike të trajtohet në nivel institucional.

Ilija Jovanoviq nga shoqata ka treguar edhe një rast të pazakontë, ku një vëlla dhe motër, të ndarë pas birësimit, janë njohur më vonë, janë martuar dhe vetëm pas një analize të ADN-së kanë zbuluar se ishin biologjikisht vëlla e motër.

Sipas Jovanoviqit, pikërisht raste të tilla janë një nga arsyet pse kërkojnë ndryshime ligjore, në mënyrë që personave të birësuar t’u mundësohet të njohin identitetin dhe prindërit e tyre biologjikë.

“Ne do të kërkojmë, kemi mbështetje nga Strasburgu, që Maqedonia të ketë të drejtë të hapë librat, për të gjithë ata që janë adoptuar… Ata duhet të dinë se kush janë prindërit e tyre të vërtetë biologjikë”, deklaroi Jovanoviq.

Sipas shoqatës, pas një takimi me përfaqësues të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, është dhënë premtim për formimin e një komisioni që do të shqyrtonte ndryshimet e nevojshme në legjislacion.