Shakira i ka dhuruar publikut në Madrid një nga momentet më të veçanta të turneut të saj, duke ftuar në skenë këngëtaren shqiptare Dua Lipa për një interpretim surprizë të këngës “Antología”.
Bashkëpunimi u realizua të shtunën, më 3 tetor, gjatë koncertit të tetë të Shakirës në Madrid, në kuadër të turneut botëror “Las Mujeres Ya No Lloran”.
Dy yjet e muzikës interpretuan së bashku, në version akustik, baladën e njohur në gjuhën spanjolle, të publikuar në vitin 1995 në albumin “Pies Descalzos”.
Për Dua Lipën, kjo ishte hera e parë që performoi drejtpërdrejt me Shakirën, duke e bërë paraqitjen edhe më të veçantë.
Megjithatë, “Antología” nuk ishte një këngë e panjohur për Duan. Ajo e kishte interpretuar edhe gjatë koncertit të saj në Bogotá në vitin 2025, performancë të cilën Shakira e kishte vlerësuar publikisht.
Performanca e dy këngëtareve në Madrid u prit me shumë entuziazëm nga publiku, i cili iu bashkua atyre duke kënduar së bashku një prej baladave më të njohura të Shakirës.
