Prindërit e nxënësve të SH.F. “Panajot Ginovski” në Butel kanë kërkuar masa nga institucionet kompetente ndaj mësueses së gjuhës maqedonase Aleksandra Kozarevska, pas disa komenteve të publikuara prej saj në rrjetet sociale.
Sipas prindërve dhe deklaratave të cituara nga TVM2, në disa prej komenteve mësuesja ka përdorur gjuhë fyese dhe përgjithësuese ndaj shqiptarëve. Prindërit kanë nisur mbledhjen e nënshkrimeve për një peticion dhe kërkojnë që rasti të trajtohet nga institucionet përkatëse.
Edhe disa arsimtarë shqiptarë kanë deklaruar se e mbështesin iniciativën dhe se do t’u drejtohen institucioneve si Avokati i Popullit dhe Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Pas reagimeve, Kozarevska ka kërkuar falje publike, duke tërhequr komentet e saj dhe duke pranuar se fjalët e përdorura kanë qenë të papërshtatshme.
“Fjalët që i përdora ishin të papërshtatshme dhe më vjen keq që i kam shkruar”, ka deklaruar ajo në postimin e fundit.
Rasti pritet të shqyrtohet nga institucionet kompetente.
