Drenusha Latifi thyen heshtjen për videot intime që po përhapen në rrjet

Drenusha Latifi ka reaguar lidhur me videot intime që kanë qarkulluar së fundmi në rrjetet sociale, duke dënuar shpërndarjen e materialeve private pa pëlqimin e personave të përfshirë.

Latifi ka theksuar se marrëdhëniet seksuale janë pjesë e jetës dhe nuk duhet të shihen si diçka për të cilën njerëzit duhet të turpërohen, ndërsa shqetësuese, sipas saj, është ekspozimi i jetës intime të të tjerëve pa pëlqimin e tyre.

“Seksi është pjesë e jetës. Të gjithë e bëjmë dhe nuk është turp”, ka shkruar ajo, transmeton “Bota sot”.

Ajo ka vënë theksin te përgjegjësia e publikut për të mos kërkuar dhe shpërndarë materiale të tilla.

“Ajo që është shqetësuese është ekspozimi dhe shpërndarja e videove intime të njerëzve pa pëlqimin e tyre. Nuk ka rëndësi nëse janë gra apo burra — askush nuk meriton të poshtërohet apo të bëhet ‘material’ për publikun”, ka deklaruar Latifi.

Sipas saj, shqetësim paraqet edhe mënyra se si në disa raste krijohet paraprakisht kureshtja e publikut për materiale intime, duke nxitur më pas kërkimin dhe shpërndarjen e tyre.

“Dhe akoma më shqetësuese është kur dikush i paralajmëron këto video paraprakisht, duke nxitur kureshtjen dhe shpërndarjen e tyre”, ka shkruar ajo.

Në fund, Latifi ka bërë thirrje që videot intime të mos kërkohen dhe të mos shpërndahen, duke kërkuar respektimin e privatësisë së personave të përfshirë.

“Mos i kërkoni. Mos i shpërndani. Respektoni privatësinë.

Seksi nuk është turp. Shkelja e intimitetit të dikujt është”, ka përfunduar ajo.

Burimi: botasot.info