Valbon Limani mohon kalimin në VLEN: “Nuk ka pasur asnjë bisedë konkrete”

Kryetari i Komunës së Gostivarit dhe zyrtar i Aleancës për Shqiptarët, Valbon Limani, ka mohuar zërat se ka pasur negociata apo ofertë konkrete për kalimin e tij në VLEN.

Në një intervistë për televizionin Alsat, Limani tha se nuk e konsideron veten “politikan tregtar” dhe se aktualisht është i përqendruar në përgatitjet për Kongresin e Aleancës për Shqiptarët.

“Unë nuk jam politikan tregtar që mund të kalojë nga një parti te një parti tjetër politike. Nuk ka pasur asnjë bisedim për kalimin tim në VLEN”, deklaroi ai.

Limani mohoi gjithashtu se nga VLEN-i i është bërë ndonjë ofertë konkrete, duke përsëritur se nuk ka pasur bisedime për një lëvizje të tillë politike.

Ai tha se komunikimet me përfaqësues të VLEN-it kanë qenë vetëm për çështje që lidhen me Komunën e Gostivarit.

Ndërkohë, Limani theksoi se pas Kongresit të ASH-së mund të ketë komunikim me të gjitha partitë politike, siç ndodh, sipas tij, edhe me subjektet e tjera.

Kryetari i Gostivarit u zotua gjithashtu se do të jetë transparent ndaj qytetarëve për çdo vendim apo veprim politik që mund të ndërmarrë në të ardhmen.