Detaje të reja kanë dalë nga hetimi për ngjarjen e rëndë në Greqi, ku një foshnje u gjet e pajetë brenda një valixheje.
Ekzaminimi mjeko-ligjor ka zbuluar se në pjesën e kurrizit të foshnjës kishte më shumë se dhjetë plagë të shkaktuara me thikë. Sipas vlerësimeve paraprake, foshnja kishte lindur dhe më pas ishte vrarë.
Deri tani, ekspertët nuk kanë mundur të përcaktojnë me saktësi moshën e foshnjës apo kohën e vdekjes.
Babai i foshnjës ka dhënë dëshmi kontradiktore, duke pretenduar se fëmija qante vazhdimisht dhe se në maternitet foshnja ishte ndërruar me një tjetër. Sipas tij, familjes i ishte dhënë një foshnjë tjetër, e cila kishte lindur e vdekur.
Në lidhje me rastin janë arrestuar tre persona – një burrë grek, një grua gjermane dhe një burrë me origjinë afgane. Ata kanë dalë para gjykatës dhe përballen me akuza që lidhen me trafikun e drogës dhe mosraportimin e gjetjes së një trupi të pajetë.
Autoritetet greke po vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e vrasjes së foshnjës dhe për të përcaktuar përgjegjësinë e personave të përfshirë.
