Bogojeski për glorifikimin e Ratko Mlladiqit: “Maqedonas, a e kuptoni çfarë po bëni?”

Lideri i “Konceptit Maqedonas”, Petar Bogojeski, ka reaguar ashpër ndaj debatit të fundit publik lidhur me glorifikimin e figurës së Ratko Mlladiqit nga funksionarë shtetërorë maqedonas.

Bogojeski thotë se debati nuk duhet të reduktohet në pyetjen se kush kishte të drejtë në luftërat e ish-Jugosllavisë, por se duhet parë edhe ndikimi që, sipas tij, kishin strukturat ushtarake dhe të sigurisë jugosllave në zhvillimet politike në Maqedoni.

“Maqedonas, ai njeri, Ratko Mlladiqi, ishte pjesë e majës ushtarake të JNA-së, e cila përgatitej për luftë në Maqedoni”, ka shkruar Bogojeski.

Ai pretendon se Mlladiqi kishte kërcënuar maqedonasit dhe e lidh figurën e tij me lëvizjen çetnike dhe me zhvillimet historike në Maqedoni.

Bogojeski kritikon veçanërisht ata që, sipas tij, e glorifikojnë Mlladiqin, duke ngritur pyetjen se çfarë pikërisht po glorifikohet përmes një qëndrimi të tillë.

“Një ministër dhe një drejtor ‘maqedonas’ e glorifikojnë Ratko Mlladiqin? A e kuptoni se çfarë skandali është ky?”, shprehet ai.

Në reagimin e tij, Bogojeski përmend edhe zhvillimet e viteve 1990 dhe 2001, duke pretenduar se strukturat serbe dhe jugosllave kanë pasur rol në zhvillimet politike dhe konfliktet në Maqedoni.

Në fund, ai u drejtohet qytetarëve maqedonas me një apel që, sipas tij, të reflektojnë mbi qëndrimet ndaj Mlladiqit dhe simbolikës që lidhet me të.

“A e kuptoni sa i thellë është problemi? Maqedonas, a jeni të vetëdijshëm se çfarë po bëni?”, ka shkruar Bogojeski.

Reagimi vjen në një periudhë kur në Maqedoninë e Veriut është hapur debat publik për qëndrimet ndaj figurës së Ratko Mlladiqit. Bogojeski edhe më herët ka qenë figurë e përfshirë në debate të forta politike dhe publike për çështje ndëretnike dhe nacionaliste.