Fatjona Geci, drejtoreshë e re e Qendrës Analitike dhe Hulumtuese të BDI-së “Abdilaqim Ademi”

Fatjona Geci, sociologe dhe autore, është aktualisht drejtoreshë e Qendrës Analitike dhe Hulumtuese në BDI “Abdilaqim Ademi”.

Geci ka lindur në Tropojë, ndërsa shkollën e mesme e ka përfunduar në Tiranë. Studimet universitare dhe masterin në Sociologji i ka përfunduar në Universitetin e Tetovës.

Gjatë karrierës së saj ka ushtruar detyra në fushën e informimit dhe komunikimit institucional. Ka punuar në Zyrën për Informim të Universitetit të Tetovës, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Arsimit dhe Zyrën për Informim të Komunës së Tetovës.

Në veprimtarinë e saj shoqërore, ajo ka themeluar dhe drejtuar shoqatën “Purpura”, si dhe Qendrën e Autizmit “Fluturo për Jetën” në Tetovë.

Geci është gjithashtu themeluese e konferencës së parë rajonale në gjuhën shqipe për autizmin, “Së bashku ta bëjmë autizmin të flasë”, e cila organizohet çdo vit në Maqedoninë e Veriut.

Ajo ka qenë autore dhe drejtuese e disa emisioneve televizive, ndërsa është autore e gjashtë librave në fushën e letërsisë dhe studimeve socio-politike. Sipas biografisë së publikuar, është në prag të botimit edhe të librit të saj të shtatë, kushtuar zhvillimeve politike në Maqedoninë e Veriut gjatë tri dekadave të fundit.

Gjatë veprimtarisë së saj ka marrë pjesë në konferenca, seminare dhe trajnime kombëtare e ndërkombëtare, me fokus të veçantë në të drejtat e njeriut, çështjet sociale dhe mbrojtjen e kategorive të ndryshme shoqërore.

Aktualisht, Fatjona Geci drejton Qendrën Analitike dhe Hulumtuese të BDI-së “Abdilaqim Ademi”.