BDI: “Çfarë borxhi i ka VLEN Stoillkoviçit që e mbron në çdo rast?”

BDI ka akuzuar VLEN-in se vazhdimisht hesht ose e mbron Stoillkoviç përballë deklaratave dhe veprimeve që, sipas tyre, janë në kundërshtim me interesat e shqiptarëve dhe të Maqedonisë së Veriut.

“Çfarë borxhi i ka VLEN Stoillkoviçit, që e mbështet dhe e mbron në çdo rast?”, pyet BDI në reagimin e saj.

Sipas partisë opozitare, nuk është hera e parë që VLEN hesht për deklaratat dhe veprimet e Stoillkoviçit. BDI përmend, ndër të tjera, rastet kur, sipas saj, ai e ka quajtur Kosovën “Kosovo i Metohija”, si dhe reagimin ndaj marshimit të ushtarëve dhe policëve serbë në Maqedoninë e Veriut.

BDI akuzon gjithashtu VLEN-in se ka heshtur për deklarata të ministrave serbë të bëra gjatë vizitave në vend dhe për pritjen me nderime shtetërore të Milorad Dodikut.

Në reagim përmendet edhe zgjerimi i interesave ekonomike dhe kapitalit serb në Maqedoninë e Veriut, përfshirë hyrjen e Alta Bankës në sektorin bankar të vendit.

BDI thotë se VLEN nuk ka reaguar as ndaj deklaratës së Stoillkoviçit se në disa raste kishte “shpëtuar” përfaqësues të VLEN-it nga, siç ishte shprehur ai, turpi publik.

“Dhe çfarë ndodhi pas kësaj deklarate? Asgjë. Asnjë kundërshtim. Asnjë distancim. Asnjë reagim”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Partia përmend edhe rastin e pesë administratorëve shqiptarë që, sipas saj, u përjashtuan nga puna, duke pretenduar se VLEN nuk e ndaloi Stoillkoviçin dhe vazhdoi ta mbështeste politikisht.

BDI e mbyll reagimin duke kërkuar nga VLEN përgjigje për marrëdhënien e tij me Stoillkoviçin dhe duke pretenduar se heshtja dhe mbrojtja politike ndaj tij “nuk mund të jenë rastësi”.