Ish-kandidati për kryetar të Komunës së Bërvenicës, Haqim Ramadani, u ka bërë thirrje qytetarëve që para zgjedhjeve të jashtëzakonshme të lënë pas ndasitë dhe përplasjet politike.
Ramadani, përmes një postimi në Facebook, ka theksuar se pas zgjedhjeve të vitit 2025, sipas tij, në komunë janë përdorur shpifje, etiketime dhe dezinformata që kanë nxitur përçarje mes banorëve.
Ai ka thënë se i pranon kritikat politike, por kundërshton ndarjen e qytetarëve në “patriotë” dhe “tradhtarë” për shkak të zgjedhjeve të tyre politike.
Duke iu referuar rezultatit të zgjedhjeve të kaluara, Ramadani ka përmendur 4.224 votat që mori, duke i cilësuar si dëshmi të mbështetjes së qytetarëve nga të gjitha pjesët e komunës.
Ai ka bërë thirrje që në garën e ardhshme politike të respektohet e drejta e secilit qytetar për të zgjedhur kandidatin dhe programin që e konsideron më të përshtatshëm.
Në fund, Ramadani ka kërkuar më shumë bashkëpunim dhe më pak përçarje, duke theksuar se fokusi duhet të jetë te puna, shërbimet dhe mirëqenia e qytetarëve.
“Le ta lëmë të kaluarën pas. Le ta bashkojmë komunën. Le të flasim për punë, shërbime dhe mirëqenie. Komuna ka nevojë për unitet, jo për përçarje”, ka shkruar Ramadani.
