Një ngjarje dramatike u shndërrua në një akt heroizmi në Trieste të Italisë, ku kadetët e Akademisë Ushtarake të Modenës shpëtuan një shofer pasi makina e tij përfundoi në det me të brenda.
Ngjarja ndodhi rreth mesditës së 12 korrikut, në skelën përballë Piazza Unità d’Italia. Kadetët e vitit të parë, të cilët ndodheshin në qytet për një vizitë studimore, panë automjetin që ra në port dhe reaguan menjëherë.
Disa prej tyre u hodhën në ujë pa hezitim, iu afruan makinës që po fundosej dhe arritën të nxirrnin shoferin, duke e mbajtur në siguri deri në mbërritjen e ekipeve të emergjencës.
I lënduari u dërgua për kontrolle mjekësore, ndërsa autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e aksidentit.
Ushtria Italiane përgëzoi kadetët për reagimin e tyre të shpejtë dhe profesional, duke theksuar se guximi, përgjegjësia dhe gatishmëria për të ndihmuar janë vlera themelore që i karakterizojnë oficerët e ardhshëm.
