23-vjeçarja nga Maqedonia e Veriut gjendet e pajetë në një banesë në Selanik

Një 23-vjeçare nga Maqedonia e Veriut është gjetur e pajetë pasditen e djeshme në një banesë në Selanik.

Sipas informacioneve të para, prindërit e saj kishin humbur kontaktet me të prej një kohe dhe, të shqetësuar, kërkuan ndihmën e një të afërmi për të shkuar në banesën ku jetonte. Ai e gjeti të renë pa shenja jete.

Nga ekzaminimi fillestar mjeko-ligjor dhe provat e mbledhura deri më tani, autoritetet nuk kanë konstatuar shenja të dukshme dhune në trupin e saj.

Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkakun e vdekjes së 23-vjeçares.