Pendarovski: LSDM nuk arriti t’i rikthejë votuesit e humbur nga OBRM-PDUKM

Ish-presidenti Stevo Pendarovski ka paralajmëruar udhëheqjen e LSDM se partia ndodhet në një kryqëzim kritik dhe pa ndryshime të thella mund të përballet me rënie të mëtejshme dhe margjinalizim politik.

Sipas tij, edhe pse OBRM-PDUKM ka humbur pjesë të mbështetjes së saj tradicionale, LSDM nuk ka arritur të tërheqë votuesit opozitarë.

“Kur nuk e bëtë këtë, ose ndryshoni strategjinë politike dhe qasjen ndaj qytetarëve, ose sillni njerëz të rinj që arrijnë shtresa të ndryshme të elektoratit”, është shprehur Pendarovski.

Ai shtoi se problemi i LSDM-së nuk është vetëm komunikimi, por edhe strategjia, kuadrot dhe mënyra e funksionimit politik, duke paralajmëruar se me trendin aktual partia rrezikon rezultat edhe më të dobët në zgjedhjet e ardhshme.

“Ekziston rrezik real që partia të zhduket ose të futet në margjinën statistikore të gabimit”, ka thënë në fund Pendarovski.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *