Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ndaj paralajmërimeve për regjistrimin e ardhshëm të popullsisë, duke theksuar se përfshirja vetëm e popullsisë rezidente nuk është çështje teknike, por agjendë politike për përjashtim.
Sipas kësaj partie, mërgata nuk mund të anashkalohet me vendime administrative, pasi qytetarët jorezidentë janë pjesë e pandashme e shtetit dhe kanë lidhje të drejtpërdrejta përmes familjeve, pronave dhe investimeve.
Nga ASH theksojnë se është shqetësuese edhe përpjekja për ta arsyetuar këtë qasje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar këtë si manipulim.
Në reagim thuhet se, pas çështjeve të tjera si gjuha shqipe, arsimi i lartë dhe projektet infrastrukturore, tani po tentohet të ndikohet edhe në përbërjen reale të popullsisë.
“Ky nuk është rast i izoluar, por një qasje e qëllimshme. Fillimisht testohen reagimet, e më pas tentohet të institucionalizohet si politikë zyrtare,” thuhet në kumtesë.
Aleanca për Shqiptarët thekson se e kundërshton kategorikisht çdo përpjekje për përjashtimin e popullsisë jorezidente nga regjistrimi, duke shtuar se regjistrimi nuk duhet të përdoret si mjet për qëllime politike apo etnike.
