Nikoloski: Akuza ndaj BDI-së për mungesë investimesh në autostrada, theksohen 1.8 miliardë euro për Korridorin 8

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski, ka deklaruar se Qeveria po investon rreth 1.6 deri në 1.8 miliardë euro në ndërtimin e autostradave në kuadër të Korridorit 8.

Në një intervistë për “Top Tema”, ai akuzoi Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) se gjatë mandateve të saj nuk ka realizuar asnjë kilometër autostradë, duke theksuar se ekzekutivi aktual është i përqendruar në zhvillimin e projekteve infrastrukturore.

Nikoloski bëri të ditur se një nga pikat kryesore të lidhjes me Shqipërinë mbetet pika kufitare e Qafë Thanës, ku aktualisht po zhvillohen punime për zgjerimin dhe modernizimin e infrastrukturës.

“Aktualisht po punojmë për zgjerimin dhe përmirësimin e pikës kufitare. Në bashkëpunim me Bankën Botërore, pritet që faza e parë të përfundojë brenda rreth një muaji, ndërsa më pas do të hapet procedura e tenderimit për fazën e dytë,” u shpreh Nikoloski.

Korridori 8 vlerësohet si një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në vend, me synim forcimin e lidhjeve rajonale dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *