Kryeministri Hristijan Mickoski ka paralajmëruar ulje të ndjeshme të çmimeve të derivateve të naftës, ndërsa Komisioni Rregullator për Energjetikë pritet të shpallë çmimet e reja të hënën.
Sipas Mickoskit, pas zhvillimeve të fundit dhe sinjaleve për stabilizim të situatës në Lindjen e Mesme, pritet që çmimi i benzinës të ulet për rreth 4 denarë për litër, ndërsa ai i dizelit për rreth 7 denarë.
“Me njoftimet për marrëveshjen e arritur mes palëve të përfshira në konflikt dhe vazhdimin e negociatave, presim që tregu të stabilizohet dhe të hyjmë në një periudhë më të qetë sa i përket çmimeve të naftës”, deklaroi Mickoski.
Ai theksoi se edhe pas rihapjes së mundshme të Ngushticës së Hormuzit, do të duhet kohë derisa furnizimet të normalizohen plotësisht, pasi cisternave u nevojitet rreth një muaj për të arritur në destinacionet e tyre.
“Duke marrë parasysh të gjitha këto rrethana, pres që të hënën benzina të ulet për rreth 4 denarë, ndërsa dizeli për rreth 7 denarë për litër”, u shpreh kryeministri.
