Durmishi: Zgjidhja për emrat e rrugëve në Tetovë do të jetë përfundimtare

Ministri dhe një nga përfaqësuesit e VLEN-it, Besar Durmishi, ka reaguar lidhur me debatin e fundit për emrat e rrugëve në Tetovë, duke theksuar se Komuna e Tetovës, e udhëhequr nga Bilall Kasami, tashmë ka formuar një komision që do të zgjidhë përfundimisht këtë çështje.

Sipas Durmishit, emrat e rinj të rrugëve do të jenë të regjistruar në Regjistrin Qendror dhe do të kenë përdorim të plotë zyrtar, duke i dhënë fund, siç u shpreh ai, zgjidhjeve të përkohshme dhe të papërfunduara të së kaluarës.

“Emrat e rinj do të jenë të plotfuqishëm, të regjistruar në Regjistrin Qendror, e jo fluskë dhe zgjidhje gjysmake siç i kishim deri tani: shqip për shqiptarët e maqedonisht në përdorim zyrtar”, deklaroi Durmishi.

Ai akuzoi gjithashtu BDI-në dhe Gjykatën Kushtetuese se janë të vetëdijshëm për këtë proces dhe se zhvillimet e fundit i konsideron si përpjekje për të zbehur punën që po bëhet aktualisht.

“BDI dhe Gjykata Kushtetuese që ajo e votoi e dinë këtë realitet. Prandaj ky ‘operacion’ sot është tentim për ta zbehur një tjetër zgjidhje që ne po e bëjmë, e ata nuk e kishin bërë për 24 vjet”, u shpreh Durmishi.

Çështja e emërtimit të rrugëve në Tetovë ka nxitur debat të gjerë politik, pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit të vitit 2007 të Këshillit Komunal të Tetovës.