Dua Lipa dhe Callum Turner shijojnë muajin e mjaltit në Amalfi, më të dashuruar se kurrë

Vetëm pak javë pas dasmës së tyre, këngëtarja me famë botërore Dua Lipa dhe bashkëshorti i saj, aktori britanik Callum Turner, po shijojnë muajin e mjaltit në Bregdetin piktoresk të Amalfit në Itali.

Çifti i sapomartuar është fotografuar duke kaluar momente të ëmbla dhe romantike në jaht, duke lundruar në ujërat e kristalta të Mesdheut dhe duke shijuar rrezet e diellit larg angazhimeve të përditshme.

Në fotografitë e publikuara nga mediat ndërkombëtare, Dua dhe Callum shihen duke shkëmbyer puthje, duke mbajtur duart e njëri-tjetrit dhe duke kaluar çaste relaksi pranë detit. Në disa momente, ata janë parë edhe duke i kushtuar kujdes dhe përkëdhelje njëri-tjetrit, duke dëshmuar harmoninë që po përjetojnë në ditët e para të martesës.

Sipas revistës People, Italia ka një rëndësi të veçantë për çiftin, pasi aty kanë kaluar disa nga momentet më të bukura të lidhjes së tyre. Burime pranë tyre kanë bërë të ditur se zgjedhja e Amalfit për muajin e mjaltit ishte krejtësisht natyrale, pasi vendi mbart kujtime të shumta dhe një atmosferë të veçantë për ta.

“Ata duken jashtëzakonisht të lumtur, e mbajnë vazhdimisht dorën e njëri-tjetrit dhe po shijojnë çdo moment së bashku”, ka deklaruar një burim për median.

Pas një periudhe intensive me përgatitjet e dasmës dhe angazhimet profesionale, Dua Lipa dhe Callum Turner duket se po jetojnë një nga periudhat më të bukura të jetës së tyre, duke krijuar kujtime të reja në një nga destinacionet më romantike të Italisë.