Edona Llalloshi siguron edhe një mandat si deputete në Kuvendin e Kosovës

Këngëtarja e njohur shqiptare, Edona Llalloshi, duket se ka siguruar edhe një mandat tjetër si deputete në Kuvendin e Kosovës, bazuar në rezultatet e deritanishme të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.

Llalloshi garoi në këto zgjedhje në listën e Lëvizjes Vetëvendosje me numrin 29 dhe, sipas numërimit të mbi 97 për qind të votave, ka arritur të marrë më shumë se 31 mijë vota.

Ky rezultat e rendit aktualisht ndër kandidatët më të votuar të subjektit të saj politik, duke i siguruar një ulëse në Kuvend për një mandat të ri.

Artistja e njohur iu bashkua Lëvizjes Vetëvendosje në shkurt të vitit të kaluar dhe që nga hyrja e saj në politikë ka gëzuar mbështetje të konsiderueshme nga elektorati. Në disa procese zgjedhore radhazi, ajo ka arritur të fitojë besimin e votuesve dhe të zgjidhet përfaqësuese e tyre.

Megjithëse rezultati i këtij viti është më i ulët krahasuar me zgjedhjet e kaluara, kur kishte siguruar mbi 44 mijë vota, Edona Llalloshi mbetet një nga figurat më të votuara dhe më të njohura brenda Lëvizjes Vetëvendosje.

E njohur prej vitesh si një nga emrat më të dashur të muzikës shqiptare, Edona Llalloshi po vazhdon me sukses rrugëtimin e saj si në skenën artistike, ashtu edhe në atë politike.