Adriana Matoshi siguron edhe një mandat në Kuvendin e Kosovës

Aktorja e njohur dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Adriana Matoshi, pritet të jetë sërish pjesë e legjislativit, pasi rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare tregojnë se ajo ka siguruar një tjetër mandat deputete.

Matoshi kandidoi në këto zgjedhje me numrin 43 në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa sipas rezultateve të deritanishme, ku janë numëruar mbi 97 për qind e votave, ajo ka marrë më shumë se 23 mijë vota, duke u renditur ndër kandidatët më të votuar të subjektit të saj politik.

Ky do të jetë një tjetër mandat për Matoshin, e cila prej vitesh është aktive në politikë, paralelisht me karrierën e saj të suksesshme në aktrim.

Megjithatë, krahasuar me zgjedhjet e kaluara, ajo ka shënuar një rënie të numrit të votave. Në zgjedhjet e mëparshme, Matoshi kishte siguruar mbi 38 mijë vota, duke u renditur më lart në listën e kandidatëve më të votuar të partisë.

Pavarësisht kësaj, Adriana Matoshi mbetet një nga figurat publike më të njohura dhe më të komentuara në skenën politike dhe artistike të Kosovës, duke ruajtur mbështetje të konsiderueshme nga elektorati.