Bota e artit turk është tronditur nga lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të aktores së njohur Ece İrtem, e cila u shua në moshën 35-vjeçare.
Aktorja ishte bërë shumë e dashur për publikun, veçanërisht falë rolit të saj si Işıl në serialin e suksesshëm “Kızılcık Şerbeti”, ku interpretimi i saj u vlerësua gjerësisht nga shikuesit.
Sipas mediave turke, Ece İrtem është gjetur pa shenja jete në banesën e saj. Dyshimet e para flasin për një sulm në zemër, megjithatë shkaku zyrtar i vdekjes pritet të konfirmohet pas përfundimit të autopsisë.
Lajmi është bërë edhe më prekës nga fakti se aktorja kishte festuar ditëlindjen vetëm një ditë para ndarjes nga jeta.
Përmes një deklarate publike, përfaqësuesi i saj ligjor konfirmoi se ajo ndërroi jetë në shtëpinë e saj, ku në ato momente ndodhej edhe nëna e aktores. Ai u bëri thirrje mediave dhe publikut që të shmangin spekulimet, duke mohuar pretendimet që kanë qarkulluar në rrjetet sociale lidhur me shkaqe të tjera të vdekjes.
Ndërkohë, fansa, kolegë dhe figura të njohura të ekranit turk kanë shprehur dhimbjen e tyre për humbjen e aktores, duke e kujtuar Ece İrtem si një artiste të talentuar dhe një person me zemër të madhe, e cila la gjurmë të veçanta në industrinë e televizionit turk.
