Një person i lënduar nga zjarri mes Dolanit dhe Lubotenit

Një person ka pësuar djegie të lehta si pasojë e zjarrit që shpërtheu dje në zonën ndërmjet fshatrave Dolani dhe Luboten, në komunën e Shtipit.

Sipas Qendrës për Menaxhimin e Krizave, personi i lënduar ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa deri më tani nuk raportohen persona të tjerë të lënduar.

Për të parandaluar përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara, janë hapur rripa mbrojtës me traktorë në drejtim të fshatit Dolani, duke bërë të mundur vendosjen e zjarrit nën kontroll në atë pjesë të territorit.

Megjithatë, zjarri vazhdon të lëvizë drejt fshatit Luboten, ku po përfshin sipërfaqe me bar të thatë, bimësi të ulët dhe pyje me pisha.

Në operacionin për shuarjen e flakëve janë angazhuar ekipet e zjarrfikësve nga Shtipi, makineri të ndërmarrjes publike “Shtipion”, traktorë, forca policore dhe ekipet e ndihmës së shpejtë.

Autoritetet po monitorojnë situatën në terren dhe po vazhdojnë përpjekjet për izolimin e plotë të vatrës së zjarrit.