Zjarri në Tearcë vihet nën kontroll, autoritetet apelojnë për kujdes

Një zjarr që kishte përfshirë një sipërfaqe fushore në territorin e Komunës së Tearcës është vënë nën kontroll falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale të ekipeve të zjarrfikësve.

Sipas autoriteteve komunale, reagimi në kohë ka parandaluar përhapjen e flakëve dhe ka shmangur dëme më të mëdha, duke mbrojtur sipërfaqe bujqësore dhe prona në zonën e prekur.

Nga Komuna e Tearcës u bëhet thirrje qytetarëve që gjatë ditëve me temperatura të larta të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr.

“Ruajtja e mjedisit dhe e pasurisë së përbashkët është detyrim i secilit qytetar. Çdo pakujdesi mund të ketë pasoja serioze për njerëzit, natyrën dhe ekonominë lokale”, theksohet në apel.