Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka deklaruar se Irani ka pësuar humbje të konsiderueshme në kapacitetin e tij ushtarak, duke theksuar se aktualisht Teherani zotëron rreth 21%–22% të arsenalit të tij raketor.
Sipas tij, sulmet amerikane kanë dëmtuar ndjeshëm infrastrukturën ushtarake të Iranit, përfshirë objektet për prodhimin e dronëve dhe disa baza raketore, megjithatë ai shtoi se vendi ende ruan kapacitete operative.
“Ende kanë aftësi. Kanë disa raketa dhe dronë, por në krahasim me më parë është një përqindje shumë më e ulët,” u shpreh Trump.
Në të njëjtën kohë, mediat ndërkombëtare raportojnë se Departamenti Amerikan i Shtetit ka miratuar një shitje të mundshme prej rreth 2 miliardë dollarësh për sisteme kundër dronëve në Kuvajt, si pjesë e forcimit të sigurisë në Gjirin Persik.
Trump gjithashtu komentoi edhe mbi mungesën e një marrëveshjeje me Iranin, duke thënë se vendimi është i ndërlikuar për udhëheqjen në Teheran për shkak të presioneve politike dhe krenarisë kombëtare.
Sipas tij, pavarësisht tensioneve, ende ekziston hapësirë për vendime diplomatike në të ardhmen.
