Tre persona kanë mbetur të plagosur pas një sulmi me thikë në stacionin e trenit në Winterthur, pranë zonës së Cyrih.
Sipas policisë kantonale të Cyrihut, ngjarja ndodhi rreth orës 08:30 të mëngjesit, kur një burrë sulmoi disa persona në ambientet e stacionit hekurudhor.
Autoritetet kanë bërë të ditur se i dyshuari është një shtetas zviceran 31-vjeçar, i cili u arrestua menjëherë pas incidentit.
Fillimisht u raportua për katër persona të lënduar, por më pas policia konfirmoi se tre persona kanë mbetur të plagosur. Gjendja e tyre shëndetësore ende nuk është bërë plotësisht e ditur.
Ngjarja shkaktoi panik te udhëtarët dhe kalimtarët, përfshirë edhe nxënës shkollash që ndodheshin në zonë në momentin e sulmit.
Sipas disa dëshmive të raportuara nga mediat ndërkombëtare, sulmuesi është dëgjuar duke bërtitur fraza fetare gjatë sulmit, megjithatë policia thekson se motivet e ngjarjes ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht dhe hetimet po vazhdojnë.
