MPB Maqedoni: katër raste të dhunës familjare në 24 orë, dy persona të privuar nga liria

Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar katër raste të dhunës familjare, ku dy persona janë privuar nga liria.

Sipas njoftimit, në Shtip është arrestuar një 33-vjeçar, pas denoncimit se kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij gjatë një mosmarrëveshjeje familjare.

Në një rast tjetër në Shkup, një 38-vjeçar ka raportuar se është kërcënuar nga bashkëshortja e tij, pas një konflikti në shtëpinë familjare në zonën e Draçevës.

Në Tetovë, një 73-vjeçar është ndaluar nga policia pas denoncimit të bashkëshortes së tij 66-vjeçare, e cila ka deklaruar se ai e kishte kërcënuar me një send të mprehtë.

Ndërkohë në Gostivar, një 36-vjeçare ka raportuar se vjehrra e saj ka tentuar ta sulmojë me një send të fortë gjatë një mosmarrëveshjeje familjare.

MPB thekson se rastet janë në procedurë hetimore dhe pas dokumentimit të plotë do të ngrihen kallëzimet përkatëse ndaj personave të përfshirë.