Kasami reagon ndaj Fillkovit: “Askush nuk mund ta pengojë gjuhën shqipe”

Bilall Kasami ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Drejtësisë Igor Fillkov lidhur me provimin e Jurisprudencës dhe përdorimin e gjuhës shqipe.

Në një paraqitje televizive, Kasami u shpreh se Fillkov nuk është ai që mund ta ndalojë përdorimin e gjuhës shqipe, duke theksuar se VLEN është përfaqësues dhe mbrojtës i të drejtave të shqiptarëve në qeveri.

“Fillkov nuk është ai që mund ta ndalojë përdorimin e gjuhës shqipe. Jemi partneri i dytë në qeveri. Bashkë me kryeministrin jemi dakordësuar që ne përfaqësojmë dhe mbrojmë të drejtat e shqiptarëve”, deklaroi Kasami.

Ai shtoi se në qeveri ka eksponentë që përpiqen të bëjnë politikë me tema ndëretnike, por sipas tij, me kryeministrin është rënë dakord që këto çështje të mbyllen dhe vendi të fokusohet te e ardhmja.

Kasami theksoi se Maqedonia e Veriut nuk duhet t’u rikthehet tensioneve ndëretnike, por të ecë përpara drejt stabilitetit dhe bashkëjetesës.